Intervistë me Dejan Sretenoviqin, 30.8.2017.

Autore e intervistës: Lluna Gjorgjeviq

Ejani të fillojmë nga ajo si u organizua ekspozita Përtej?

Nuk më kujtohet saktësisht ideja e kujt ishte që të organizonim ekspozitën Përtej në Beograd. Qendra për Art Bashkëkohor e cila atëherë punonte në kuadër të Fondit Soros si program i specializuar për art të pikturimit që nga vetë fillimi i vitit ’94 e mbulonte skenën artistike të Kosovës. Ne ishim të ngarkuar që t’u ndihmonim granteve dhe mënyrave tjera të ndryshme për produksionin bashkëkohor artistik në territorin e Jugosllavisë së atëhershme. E kishim Këshillin e Qendrës në të cilin ishin ekspertët nga Beogradi dhe nga rajoni, Mali i Zi, por edhe nga Kosova, kështu që për ne ishte gjë e çmuar që e vendosëm në atë moment bashkëpunimin me skenën artistike të Kosovës. Para kësaj nuk kemi pasur kontakte me ta as unë as kolegët e mi nga Qendra. Këto botëra paralele të serbëve dhe shqiptarëve qysh më herët filluan të funksionin ndaras dhe ne këtu nuk kemi pasur kurrfarë  informacione sh. Askush as nuk shkonte atje. Me filimin e Qendrës dhe vendosjen e bashkëpunimit me zyren e Fondit Soros në Prishtinë gjërat filluan të zhvilloheshin në drejtim tjetër, sepse kjo na i mundësoi që të merrnim  informacione  për faktin se çfarë po ndodhte në skenën artistike të Kosovës.

Si funksionoi kjo atëherë?

Qendra e filloi punën në vitin ’94, si program i specializuar i Fondit Soros për art vizual. Kështu që ne para se gjithashë përmes konkurseve dhe granteve tona të cilat i morëm filluam të merrnim më shumë informacione sepse u paraqitën artistët, galeritë, institucionet e tjera nga Kosova për projekte të ndryshme: Gjithnjë e kishim përfaqësuesiin e Prishtinës në Këshill, kështu që filluam t’i këmbenim publikimet dhe informacionet dhe në një moment në vitin ’97, vërtet nuk mund ta rikujtoj ideja e kujt ishte, por sidoqoftë vendosëm të bënim një prezantim të skenës së Kosovës. Shkëlzen Maliqi ishte i vetmi aktiv, atje nuk kishte shpjegues muzeu, kështu që ai u mor dhe u interesua për art, i përcolli ata artistë dhe shkroi dhe ishte krejtësisht logjike që ai të ishte autor i asaj ekspozite. E bëri përzgjedhjen dhe konceptin, kurse ne e lutëm kolegun Jovan Despotoviqin, i cili si kritik gjatë viteve ’80 e përcolli skenën artistike të Kosovës, që ai ta shkruante një tekst për shkak se ai kishte njohuri lidhur me atë se çfarë noddhi më herët në atë skenë. Kjo ekspozitë pati edhe rëndësi artistike edhe politike. Nga njëra anë ishte me rëndësi të dinim se çfarë po ndodhte në skenën artistike të Kosovës, dhe të vendoset komunikimi midis Beogradit dhe Prishtinës në atë nivel artistik, nga ana tjetër pati rëndësi politike në faktin që në këtë mënyrë donim të tregonim se ato ndarje politike nuk domethënë që duhet të ndodhin edhe në fushën e artit dhe kështu në këtë mënyrë ta përkrahim ekipin e artistëve të cilët atëherë punonin në kushte shumë të rënda. Kjo është koha e ashtuquajtur alternative, kur ekzistonte ai sistemi alternativ, kur shqiptarët dolën nga të gjitha institucionet e Kosovës dhe kur kjo funksioni si një botë paralele. Vërtet ka qenë një situatë e rëndë, sidomos për artistë, por as këtu nuk ka qenë lehtë. Por kjo ka qenë një situatë shumë e veçantë dhe ideja ishte që t’ua mundësonim që t’i paraqisnin punimet e veta në Beograd dhe të korrigjohej pamja negative për shqiptarët që mbizotëronte atëherë, dhe e cila fatkeqësisht ende mbizotëron në Serbi, por nga ana tjetër edhe të afirmohej arti bashkëkohor nga Kosova. Të gjitha këto shkaqe ishin të gërshetuara. U tregua se ekspozita vërtet hasi në një pritje të jashtëzakonshme, erdhën shumë vizitorë, i krijuam kontaktet personale, duke përfshirë veten dhe kolegët, miqësitë të cilat ende po vazhdojnë dhe në këtë vështrim në njëfarë mënyre u vendos një kanal në të cilin më vonë do të hyjnë gjeneratat e reja, artistët e  rinj, historianët e artit, kustosët  e muzeve të cilët e vazhduan këtë bashkëpunim të cilin e filluam ne. Kështu më duket që Përtej ka rol të rëndësishëm për vendosjen e këtij kanali të komunikimit midis Beogradit dhe Prishtinës.

A u njohe ti atëherë për herë të parë me artistët e Kosovës ose jeni njohur më herët?

Kjo tani nuk më kujtohet, por gjithsesi nuk i njihja të gjithë, vërtet nuk më kujtohet, por pas kësaj ekspozite mbeta në marrëdhënie shumë të mira me Mehmet Behlulin dhe me Sokol Beqirin. Një nga rezultatet e atij projekti ishte ftesa që ta vizitoja Prishtinën, mendoj se kjo ndodhi vitin e ardhshëm, dhe t’u mbaja ligjërata studentëve të Mehmet Behlulit i cili ligjëronte në Akademinë e Arteve të Pikturimit në sistemin paralel. Dhe kjo vërtet qe një përvojë e pazakonshme, pasionante dhe e prekshme sepse unë atje studentëve dhe profesorëve shqiptarë ua prezantova artin bashkëkohor në Serbi. Kjo tashmë ishte shenjë e qartë se nuk ekziston animozitet ndaj serbëve dhe atyre thjesht u interesonte se çfarë po ndodhte, por edhe neve na interesonte se çfarë po ndodhte në Prishtinë. Ishte vërtet përvojë pasionante edhe ta vizitosh Akademinë e cila e zhvillonte aktivitetin në një shtëpi private në kushte të vështira, në kushte materiale të varfëra – këtë e përjetova edhe si një shenjë personale që t’i përkrah ata të  rinj që edhe përkundër të gjitha gjërave besonin se duhet të merreshin me art.

Sa studentë ishin, atë kujtohet?

Mehmeti më shoqëroi në Akademi dhe i vizitova klasët, kjo ishte një shtëpi në kat, nuk më kujtohet – por kushtet vërtet ishin të këqia për një akademi artistike, por të gjithë kishin një entuziazëm dhe energji dhe më pritën në mënyrë të shkëlqyer dhe u erdhi mirë që mund të ndihmoj në njëfarë mënyre që të arsimoheshin këta të rinj të cilët ishin atje vërtet të mbyllur dhe kishin shumë pak informacione për rrjedhat e artit bashkëkohor – jo në Beograd, por në përgjithësi. Ishte interesant që të nesërmen e mbajta këtë ligjëratë të njëjtë me studentët e kombësisë serbe në atë akademinë zyrtare. Edhe këtë e organizuam përmes kolegut nga zyra e Prishtinës, sepse konsiderohej që nuk duhet të bënim dallim dhe meqenëse isha aty duhet të vendosja kontakte me të gjitha bashkësitë artistike. Natyrisht që shumica e profesorëve dhe e studentëve e bojkotuan shkuarjen time, përveç një asistenti të ri nga dega e grafikës i cili i solli studentët e vet. Praktikisht vetëm atyre u mbajta ligjërata. Kontrasti ishte i madh – ajo shtëpia e vogël ku mësonin studentët shqiptarë dhe ndërtesa e madhe e bukur e Akademisë gjysmë e zbrazët ku ishin vetëm studentët serbë. Reagimet ishin të njëjta – i shihni ata të rinj që nuk kishin informacione elementare, të cilëve gjithçka u mungonte. Dhe parimisht i njëjti lloj i hutueshmërisë por edhe kureshtja nga ana tjetër ishte një lloj reagimi. Kështu që pas kësaj këto kontakte vazhduan, bashkëpunimi, takimet në shtetet e tjera lidhur me ndonjë nga ato ekspozita, u paraqitën edhe gjeneratat e reja të artistëve nga Kosova me të cilët mbanin kontakte, por mendoj se rëndësia më e madhe e ekspozitës Përtej është në faktin që u hap një kanal në të cilin u angazhuan pastaj gjeneratat e ardhshme.

Më thuaj diçka për vetë ekspozitën Përtej. Çfarë të kujtohet nga ekspozita dhe hapja e saj?

Ekspozita Përtej për mua ishte ekspozitë interesante sepse ky ishte një kod krejt tjetër. Skena artistike në Beograd dhe skena artistike në Prishtinë në atë moment dalloheshin shumë. Preokupimet e artistëve të Kosovës dhe të Serbisë në atë moment ishin më ndryshe dhe kjo ishte një gjuhë më ndryshe dhe raport ndaj punës artistike, por ishte jashtëzakonisht emocionuese t’i shohësh ato punime dhe t’i shohësh dhe t’i dëgjosh mënyrat në të cilat ata artistë mendonin, kështu që në fakt e kuptova se ekzistonin artistë shumë të mirë, dhe cilësorë, mendoj që Zeni e përgatiti ekspozitën mjaft të mirë dhe cilësore. Nuk më kujtohet kush krejt atëherë ishte aktual në skenën artistike të Kosovës dhe që nuk është përfaqësuar në ekspozitë, por mendoj që e ka zgjedhur atë më të mirën. Veçanërisht ishte interesante që e kishte vendosur Ilir Bajrën, që ekspozita hyri në audio që merret me një muzikë avangarde. Mendoj që ekspozita e ka pasur një cilësi të lartë, nuk dinim as çfarë të prisnim, por kur i morëm disa riprodhime, pasiqë kolegu Borut Vild dhe unë i përgatitëm katalogjet e kësaj ekspozite, atëherë për herë të parë e pamë për çfarë bëhej fjalë.

Është interesante që nuk bëri ndonjë jehonë të madhe në opinionin e gjerë, duk mos e llogaritur skenën tonë të atëhershme OJQ dhe qarqet artistike të cilat gravitonin rreth kësaj skene. Përjashtim bëri Studio B, që e ndërmori një hap të guximshëm që e përgatiti një emision gjysmëorësh ku pjesëmarrësit e ekspozitës folën për gjëra të ndryshme, për art, politikë, për ndjenjën e vet si shqiptarë dhe si qytetarë të Serbisë, për çdo gjë që ndodhi dhe kjo vërtet në atë kohë ishte një shembull i rrallë që në TV u hapën pak dyert dhe iu lejua shqiptarëve të Kosovës që në një televizon të Beogradit të flisnin hapur për çdo gjë që i mundonte. Ky ishte një dokument i çmueshëm por reagime pak më të gjëra sidomos nga ana e sistemit shtetëror nuk pati sepse ekspozitën e bojkotuan. Ky ishte rasti edhe me projektet e tjera të cilat ne si qendër i bëmë atëherë, shpesh hasëm në një lloj heshtjeje dhe bojkotimi.

Ju injoruan?

Po, na injoruan, por jo plotësisht, disa redaksi që merreshin me kulturë e përcollën, nuk po flas vetëm për mediat e pavarura, por në përgjithësi kryesisht na bojkotuan dhe na injoruan.

Sa e di se çfarë ndodhi në skenën artistike të Kosovës para ekspozitës Përtej? Si u zhvillua ajo?

Në Prishtinë ekzistonte Galeria artistike, në Jugosllavinë socialiste punohej mjaft, siç e dimë mirë, në decentralizimin e kulturës dhe kudo në Jugosllavi ekzistonin shtëpitë e kulturës, kështu në shumë qytete ekzistonin jo vetëm të të ashtuquajturat muzetë e vendlindjes, por edhe galeritë të cilat kishin program serioz. Kështu që Galeria në Prishtinë kishte imazh serioz dhe vend të rëndësishëm për artin vizual në Kosovë, ekzistonin shumë artistë të cilët vepronin por të gjithë ata (kjo nuk është gjë e veçantë për Kosovën por edhe për qytetet e tjera brenda shtetit – të gjithë ata gravitonin për në drejtim të Beogradit, Zagrebit dhe qendrave tjera më të mëdha kulturore). Aty dikund në fillim të viteve ’80 në Sallonin e Muzeut të Artit Bashkëkohor u përgatit një ekspozitë e artistëve të Kosovës, një pasqyrë e skenës bashkëkohore të Kosovës, dhe më vonë ajo kryesisht ishte e njohur përmes artistëve të kombësisë serbe të cilët filluan të vinin dhe të vendoseshin në Beograd dhe të cilët filluan të integroheshin këtu edhe të ekspozonin punimet e veta. Por duke e marrë parasysh situtatën e cila ngadalë ndërlikohej gjatë viteve ’80 në Kosovë, ky tjetërsim i skenës artistike shqiptare u bë gjithnjë e më i madh, por nga këtu nuk pati kurrfarë interesimi – thjesht u ndan botërat. Ashu siç në Kosovë serbët dhe shqiptarët filluan të jetonin në botëra të ndara, kjo i pati reperkusonet e veta edhe në art edhe në kulturë. Luftërat filluan në vitin ’91 me tërbimet nacionaliste, dhe atëherë ky ishte një ambient në të cilin ishte vështirë të vendosej çfarëdo komunikimi.

Pasiqë the se ekspozita Përtej ishte e veçantë në vështrimin që disi e hapi komunikimin, çfarë ndodhi pas saj? Si dukej komunikimi?

Këto kontakte nuk u ndërpren, dinim të takoheshim edhe në disa ekspozita në vende të treta jashtë shtetit. Atëherë filluan ciklet e ekspozitave ballkanike të cilat punonin kudo nëpër Evropë dhe thjesht edhe artistët shiheshin më shpesh kurse ne shpjeguesit e muzeve, sipas natyrës së punës, por një situatë interesante qe kur ne si ekip nga Qendra në krye me Branisllav Angjellkoviqin erdhëm në Muzeun e Artit Bashkëkohor në vitin 2001 si ekip i ri pas të gjitha ndryshimeve politike dhe një nga projektet tona më të rëndësishme në atë fazën e parë ishte ekspozita Për normalitetin, artin në Serbi nga viti ’89 deri në vitin 2001 të cilën e organizuam në vitin 2005 në përvjetorin e dyzet të krijimit të Muzeut. Kjo vërtet ishte një ekspozitë e cila e nënkuptoi një punë jashtëzakonisht të madhe hulumtuese, qëllimi i së cilës ishte që ato vitet e ’90-ta turbulente dhe prodhimi artistik ishte tejet interesant dhe shumë cilësor që këtu përpiqej që ato të paraqiteshin tani në një rrafsh të njëjtë muzeor dhe natyrisht që u shtrua çështja e Kosovës. Ne konsideronim që në aspektin formal juridik në atë moment Kosova ishte pjesë e Serbisë siç ishte edhe gjatë viteve ’90, edhe pse situata ishte specifike,  konsideronim që në aspektin profesional do të gabonim nëse do të përgatisnim ekspozitë sipas parimit territorial e që të mos i ftonim artistët e Kosovës. Ne këtë edhe e bëmë. Natyrisht që kërkuam ta dëgjonim edhe mendimin e tyre se si ata ndjehen në tërë këtë dhe në çfarë mënyre ata e shohin pjesëmarrjen në një ekspozitë të tillë. Meqenëse të gjithë ata ishin artistë të cilët personalisht i njihnim dhe me të cilët bashkëpunuam në ekspozitën Përtej dhe më vonë, në vështrimin personal nuk pati kurrfarë problemesh dhe të gjithë personalisht e shprehën dëshirën të merrnin pjesë në një ekspozitë të tillë. Mirëpo problemi u paraqit për shkaqe politike të brendshme në Kosovë sepse ata thjesht konsideronin se pjesëmarrja e tyre në ekspozitë në një institucion shtetëror siç është MAB në një farë mënyre e nënkuptonte njohjen e sovranitetit të Serbisë në Kosovë. Thjesht nacionalizmat rrymonin edhe më tutje edhe këtu edhe atje, dhe ne plotësisht e kuptuam situatën e tyre që në vend të vet do të mund të kishin probleme për shkak se morën pjesë. Argumenti ishte se kjo sikur të ishte ndonjë OJQ ose ndonjë kontekst i pavarur siç ishte Qendra për Ç’ndotje Kulturore’97,  por ky tani ishte institucion shtetëror dhe kjo do të mund të kuptohej keq në Kosovë. Dhe ne e respektuam këtë argument, por nuk patën asgjë kundër të jenë të përafqësuar në katalog, në një segment të veçantë. Dhe ne bëmë intervista me ata artistë, këto ishin pyetje të përbashkëta për të cilat u përgjigjën dhe i paraqitën punimet e veta, kështu që në këtë mënyrë skena e Kosovës si një situatë specifike brenda këtij korpusi të artit bashkëkohor u prezantua në këtë hapësirë. Këtu nuk pati kurrfarë reagimesh negative, mendoj që njerëzit me simpati e kuptuan tërë këtë.

A nuk pati reagim negativ nga ana e shteit?

Jo, kjo ishte një kohë kur marrëdhënia ndaj kulturës ishte mjaft e shtendosur dhe liberale, garniturat e atëhershme në pushtet as nuk interesoheshin shumë për kulturë. Sidomos nuk u interesonte se çfarë bëhej aty në nivel programi të Muzeut. Atëherë ne e kemi pasur një status të mirë si MAB sepse me sukses filluam t’i rivitalizonim institucionet. Këtu u paraqitën rezultatet, e kthyem publikun, përgatitëm programe interesante dhe në këtë vështrim nga Ministria e Kulturës i shikonin me dashamirësi aktivitetet e Muzeut dhe nuk patëm kurrfarë problemi, sa më kujtohet mua.

Të flasim tani pak për ekspozitën Shmangia. A prite ti se gjërat do të zhvillohen në këtë mënyrë?

Ekspozita Shmangia vjen si pikë e tretë referuese. Më duhet ta pranoj se nuk kam pritur se do të ndodhte ajo që ndodhi. Sidomos që ekspozita në Novi Sad kaloi pa probleme. Unë nuk kam pasur, por nuk di a kanë pasur kolegët dhe koleget e Galerisë Kontekst çfarëdo sinjalesh që do të mund të paralajmëronin se diçka e tillë do të ndodhte, kjo mua nuk më kujtohet. Unë u gjeta aty 15-20 minuta para hapjes, mirëpo na ndali kordoni te Muzeu i Vukut dhe i Dositeut dhe aty takova edhe disa artistë, kolegë të tjerë etj., kështu që atëherë e kuptuam se çfarë po ndodhte. Dhe atëherë të njëjtën mbrëmje, kur çdo gjë kaloi dhe kur erdhën koleget dhe kur dëgjuam se çfarë kishte ndodhur brenda, na lindi ideja që të ndërmerrnim diçka. Mendoj se që atë natë përfunduam në Qendrën për Ç’ndotje Kulturore dhe që atëherë na lindi ideja që të reagonim.

Atëherë u themelua grupi Punëtorët për kulturë?

Po, ky ishte një grup ad hoc të cilin e formuam ne para se gjithashë që bashkëpunuam me skenën artistike të Kosovës dhe të cilët u gëzuam mjaft shumë për ekspozitën Shmangia dhe që do të na vinin përsëri artistët e Kosovës – tani gjenerata e re e artistëve të rinj, e cila u m or në mënyrë kritike me situatën në Kosovë. Është interesant  se që të nesërmen filloi urrejtja saqë secili e pa të arsyeshme që të komentonte ekspozitën të cilën askush nuk e kishte parë.

Dhe e cila u interpretua krejtësisht gabim.

Natyrisht, që u interpretua plotësisht gabim. Pushteti i atëhershëm i ashtuquajtur demokratik në asnjë mënyrë nuk reagoi – as Ministria e Kulturës, as Sekretariati i Qytetit për Kulturë, në kurrfarë mënyre nuk bën përpjekje të na mbronin ose ta thonin së paku një fjalë, vetëm u bënë sikur nuk dëgjuan. Kështu që disa ditë u zhvillua fushatë e tërbuar kundër kësaj ekspozite, e cila gati i arsyetoi vagabondët të cilët e ndërprenë hapjen. Atëherë në fakt më ra ndërmend punimi i Milica Tomiqit XY dhe ajo historia e saj e cila qe rast që ta përgatiste atë punim, kur tha që gjatë demonstratave të vitit ’96, e ’97 e kuptoi që ata qytetarët e mirë demokratikë të cilët luftojnë për demokraci dhe të drejta të njeriut u thonë policëve „Shkoni në Kosovë“ përkatësisht „Mos na rrihni ne por ata“. Kjo përsëri më ra ndërmend në atë moment që ja, pak më shumë se 10 vjet më vonë u paraqit krejtësisht i njëjti problem në Beograd në momentin kur ne ende në mënyrë naive besojmë se gjërat në shoqëri disi po ndryshojnë dhe që të gjithë ne me punën tonë në skenën kulturore dhe artistike po e japim njëfarë kontributi për rivendosjen e bashkëpunimit rajonal, dhe që Beogradi po e kthen atë frymën kosmopolite të cilën e kishte në Jugosllavinë Socialiste. Fatkeqësisht u dëshmua që nuk ishte ashtum dhe që me siguri e patën mbrojtjen policore për atë akt vandal dhe që çdo gjë ishte e programuar. Pushteti i atjeshëm nuk deshi në kurrfarë mënyre që të merrej me këtë problem, natyrisht sepse paralelisht me të zhvilloheshin bisedat për statusin e Kosovës.

Kosova pikërisht atëherë e shpalli pavarësinë, apo jo?

Po, gjë që natyrisht u përjetua si gjë traumatike dhe bëri jehonë të madhe në opinionin serb, kështu që tërë ajo ishte një situatë mjaft e zymtë. Ne i patëm disa takime, patëm ide të ndryshme, ne si grup Punëtorët për kulturë i botuam ato gazetat si shenjë përkrahjeje, sepse ndjenim përgjegjësi në njëfarë mënyre, pa e marrë parasysh që Galeria Kontekst ishte organizues formal, por të gjithë në njëfarë mënyre e pamë të arsyeshme që të reagonim sepse morëm pjesë në krijimin dhe mbajtjen e atyre lidhjeve me skenën artistike të Kosovës. Tërë kjo përfundoi me konferencën për shtyp në Qendrën e Mediave e cila bëri jehonë, por pas saj çdo gjë u zhduk.

Përse?

Çfarë do të ishte hapi i ardhshëm? Nuk pati ide të qarta. Por edhe si të gjitha grupet joformale të tubuara rreth një ngjarjeje, në fund të gjithë disi u shpërndanë duke u marrë me punët e veta. Por ne u bindëm që gjërat nuk do të ndryshonin aq lehtë siç mendonim dhe që aty do të ketë edhe më tutje probleme. Unë dy vjet para saj, me ftesë të Mehmet Behlulit, shkova në Prishtinë. Përsëri u mbajta ligjërata studentëve të tij, mendoj që ai prej meje kërkoi që t’i njihja me artin konceptual sepse ata për këtë nuk dinin asgjë, për skenën e viteve ’70, dhe ishte kolegu Borut Vild i cili foli për dizajnin grafik bashkëkohor dhe për punën e vet, kështu që vërtet na pranuan jashtëzakonisht mirë atje dhe patëm komunikim të shkëlqyer, u njohëm me njerëz të ndryshëm dhe ky ishte bashkëpunimi im i fundit, formal me kolegët në Kosovë.

Çfarë ndodhi në skenën artistike pas ekspozitës Shmangia, pas vitit 2008?

Unë për këtë di shumë pak, për shkak se stafetën e morën kolegët e rinj, dhe unë e di që jo vetëm Galeria Kontest, por edhe kolegët e tjerë, artistët, teoreticientët, shpjeguesit e muzeve, vazhduan ose i krijuan kanalet e veta, rrjetin e bashkëpunimit. Kështu që, aq sa di unë, ky bashkëpunim asnjëherë nuk pushoi, vetëm përsëritej dhe në çfarë situate jemi sot, këtë vërtet nuk e di, nuk kam një lloji të tillë të informacionit. Mendoj që ajo ngjarja rreth ekspozitës Shmangia nuk çrregulloi asgjë. Mendoj që te njerëzit kjo vetëm e krijoi edhe një motiv më shumë që përmes gjërave të tilla nuk mund të kalohet. Nga ana tjetër, sot bota e artit bashkëkohor funksionon ashtu saqë thjesht të gjithë janë në dofarë migrimesh, të gjithë janë mjaft mobil, po ndodhin shumë ngjarje, ekspozita, manifestime shoqëruese, konferenca. Kështu që në një masë të madhe u rikthye bashkëpunimi rajonal në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe njëmend ka tepër shumë nisma dhe rrjetëzime, para se gjithash në nivelet e OJQ, kështu që njerëzit vërtet qarkullojnë nëpër këto hapësira, dhe tani më nuk është fjala vetëm për komunikimin midis Beogradit dhe Prishtinës, por kjo ka kaluar në një kontekst më të gjerë të rikthimit të komunikimit në hapësirën e ish-Jugosllavisë, sepse temat e përbashkëta – sidomos studimi i së kaluares së përbashkët, studimet lidhur me Jugosllavinë – sot janë disiplinat më të zhvilluara, gjë që është diçka që domosdoshmërisht i grumbullon njerëzit nga të gjitha hapësirat dhe të gjithë në këtë në njëfarë mënyre po marrim pjesë dhe ky lloj komunikimi nuk është në plan të parë, por definitivisht është që të shihet trashëgimia e ekspozitës Përtej që mbeti gjatë këtyre 20 vjetëve.